Kadare: Serbia ka detyrim ta njoh Kosovën

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, tha se mosnjohja e Kosovës nga Serbia do të thotë mospranim i lirisë së një populli tjetër. Në një intervistë për radion “Blue Sky”, Kadare tha se Serbia ka detyrim ta njoh Kosovën.

Në librin e tij “Mbi Krimin në Ballkan”, Kadare shkruan se heshtja botërore për krimet e kryera nga Serbia ndaj popujve tjerë në Ballkan, e ka bërë Serbinë të përfitojë nga kjo heshtje.

Advertisement

“Ka rreth njëzetë vite që po përsëritet ky mesazh. Një pjesë e letrave që publikohen në këtë libër janë shkruar përpara njëzetë vitesh. Kam kritikuar heshtjen botërore, në kohën që Kosovën nuk e zinte në gojë askush, dhe më pas heshtjen shqiptare për krimet. Që të mos ketë keqkuptime, duhet të them se natyrisht që është folur dhe shkruar për krimet”, tha Kadare, duke shtuar se në librin e tij janë përmendur shembuj të tillë. “Por”, sipas tij, “ato janë ende të pakta, në krahasim me tmerret që kanë ndodhur”.

“Në qoftë se bota do të merrte vesh të vërtetën e plotë, Serbia nuk do të guxonte të fryhej sot si gjel, por do të rrinte kokulur. Dhe kjo, përveçse do të hidhte dritë mbi të vërtetën e Kosovës, do të ishte në të mirën e gjithë rajonit, duke përfshirë këtu edhe të mirën e vetë Serbisë”, ka theksuar Kadare.
Duke komentuar letrën e Vuk Drashkovic, dërguar atij në vitin 1987, Kadare thotë se ajo letër, e publikuar një çerek shekulli më parë, është tepër kuptimplote për të kuptuar dramën e Kosovës. Sipas tij, ajo dëshmon se si është projektuar krimi, si do të kryhet ai krim, së fundi si do të përmbyset e vërteta, duke e hedhur fajin mbi shqiptarët.

“S’më ka habitur asnjëherë letra e Drashkovicit. Ajo është në logjikën e projektit serb. Siç është shpjeguar në libër, ajo që më ka habitur kanë qenë sulmet nga krahu shqiptar. E sidomos nga disa shqiptarë të Kosovës”, ka theksuar shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare.

“Drama e Kosovës ka qenë një çështje e madhe për moralin evropian dhe atë botëror. Ish-kryeministri i Anglisë, Tony Blair, në kujtimet që sapo ka botuar, shkruan se nga Kosova ka njohur më mirë shumë gjëra, duke përfshirë dhe vetveten. Është e habitshme se vetëm Serbia, ajo që do të duhej të nxirrte mësimin kryesor, e refuzon një gjë të tillë. Do të doja që Evropa, gjithë bota, të thellohej më shumë se ç’do të thotë mosnjohje e Kosovës nga Serbia”, thekson Kadare, duke shtuar se “kjo mosnjohje nuk është një aksident diplomatik, mirëpo është shumë më keq”.

“Serbia jo vetëm ka detyrim ta njohë Kosovën, por duhej të ishte ndër shtetet e para që ta kryente këtë akt. Serbia ka bërë krime në Kosovë. Njohja e Kosovës do të ishte akti i parë i heqjes dorë nga doktrina që i polli këto krime. Mosnjohja e Kosovës do të thotë një shpallje publike se Serbia nuk heq dorë nga një e kaluar që s’e nderon. Në rastin e Kosovës është edhe më keq. Mosnjohja e Kosovës është mospranimi i lirisë së një populli tjetër, e kjo do të thotë mospranimi i ekzistencës së tij”, tha Kadare, duke shtuar se me këtë shpallje, me këtë përkëdhelje të krimit të vet, Serbia synon të hyjë në Evropë.

Kadare thekson në fund se me mosnjohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, kjo e fundit e pengon Kosovën, por, sipas tij, “s’duhet harruar se më shumë se Kosovën ajo pengon vetveten”.
Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut  

Per me teper klikoni me siper ^^^  

Nese mendoni se kjo faqe vlen per cdo inforamcion,atehere do tju luteshim te gjithe te na ndihmonit duke e shperndare kete faqe ne profilet tuaja thjeshte duke klikuar ketu “Shperndaje”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button