Xhufi: Certifikatat, një lojë e qeverisë

Nga Lindita Çela
“Një çorbë e gatuar nga qeveria shqiptare po shfrytëzohet nga organizata luftëdashëse që kanë kryer historikisht veprimtari të kundraligjshme.” Kështu e ka konsideruar, historiani i njohur Pëllumb Xhufi, vendimin më të fundit të Ministrisë së Brendshme për heqjen nga certifikata të përcaktimit të kombësisë së shtetasve shqiptarë. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Xhufi shpjegon pasojat e këtij vendimi dhe, sipas tij, certifikatat janë kthyer në një lojë që qeveria shqiptare e përdor jo vetëm për të mbuluar vjedhjen e votave, por edhe për trafikuar vetë shpirtrat e ndjenjat më intime të shqiptarëve.

Z. Xhufi, prej disa ditësh Ministria e Brendshme ka vendosur heqjen e kombësisë nga certifikatat e gjendjes civile, ndërkohë që ndaj këtij vendimi kanë reaguar organizata “OMONIA” duke kërkuar rikthimin e certifikatave të vjetra, ndërkohë që konsullatat greke në jug të vendit nuk kanë pranuar modelin e ri të certifikatave. A është normal ky reagim?
Shikoni, në çështje që nuk kanë mbështetje në ligje e në konventa ndërkombëtare, madje që janë në përplasje flagrante me to, Athina siç duket preferon të mos dalë vetë, por të lëshojë organizatën luftarake “OMONIA” dhe konsujt e saj në Shqipëri, që historikisht në këtë vend janë marrë me veprimtari të kundërligjshme. Elementi i kombësisë është hequr sot, bashkë me elementin e besimit, nga dokumentet e identifikimit të të gjitha vendeve të BE-së, përfshirë pjesërisht edhe vetë Greqinë. Në fakt, përfshirja e kombësisë në certifikatat e gjendjes civile shqiptare, do të ishte madje antikushtetuese. Shqipëria ka një Kushtetutë të avancuar europiane, e cila shpall solemnisht barazinë e plotë të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht përkatësisë etnike, ndërkohë që Shqipëria përcaktohet si vendi i gjithë qytetarëve të saj. Përkundrazi, më duhet të them, që Kushtetuta e Greqisë shpall ekskluzivitetin e qytetarit “grek”, si dhe të besimit “ortodoks”, që shpallet i vetmi besim i njohur nga shteti. Në këtë kuptim, standardet greke në këtë pikë nuk janë për t’u marrë shembull, dhe dihet fort mirë që Greqia ka vazhdimisht punë me shtete të veçanta, por edhe me organizmat ndërkombëtare për probleme të tilla. Megjithatë, në rastin tonë, mospërfshirja e elementit kombësi apo besim fetar në dokumentet e lëshuara nga zyrat e gjendjes civile, nuk do të thotë aspak se me këtë rast i është vënë një vizë e kuqe kombësisë të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Elementi i kombësisë ekziston në regjistrin themeltar të gjendjes civile, dhe atij mund t’i referohet çdonjëri e çdo institucion në rast se kërkon t’i përdorë këto të dhëna, në bazë të ligjit. P.sh., një rast tipik do të ishte regjistrimi i pritshëm i popullsisë. Në rast se “OMONIA” dhe qeveria greke do të duan të dinë, siç thonë, numrin e saktë të qytetarëve shqiptarë me kombësi greke, atëherë kjo mund të mësohej shumë mirë e shumë shpejtë duke iu drejtuar pikërisht regjistrit themeltar. Ky po, do të ishte një evidentim i saktë i qytetarëve shqiptarë me përkatësi minoritare, në përputhje edhe me standardet europiane, dhe jo ai regjistrim me “vetëpërcaktim” të kombësisë, që po kërkojnë të imponojnë qarqet nacionaliste greke dhe që i përgjigjet standardeve të mykura bizantino-otomane.

Advertisement

Z. Xhufi, vendimin e fundit të Ministrisë së Brendshme a e shihni si një veprim që bie ndesh me vendimin e qeverisë për regjistrimin mbarëkombëtar? Me sa duket, në formularët që do të shpërndahen, do të kërkohen të dhëna edhe për kombësinë e shtetasve.
Por në këtë çështje ka lyer duart edhe qeveria shqiptare, ndaj dhe “OMONIA” dhe përfaqësues zyrtarë grekë janë aq agresivë në kërkesat e tyre. Kjo qeveri, madje të vjen të thuash këto qeveri, kanë luajtur edhe me çështjen e certifikatave në fjalë. Sepse qysh në vitin 2003 u bë një ndërhyrje në Ligjin për Gjendjen Civile, sipas të cilit tash e tutje mund të ndërrohej kombësia me një vendim gjykate, që konsiderohej vendim i formës së prerë. Një ligj krejtësisht antikushtetues për të cilin, me sa jam në dijeni, para disa muajsh është kërkuar abrogimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, ndonjë vit më parë u bë një tjetër ndërhyrje në Ligjin e Gjendjes Civile, duke futur si element të identifikimit edhe përkatësinë kombëtare. Edhe ky amendament, i bërë pikërisht nën presionin e qarqeve nacionaliste greke dhe të “OMONIA”-s, që fatkeqësisht është bërë dora e shtrirë e tyre, është në përplasje flagrante me Kushtetutën e Shqipërisë si dhe me standardet europiane. Tani që elementi i kombësisë është hequr nga certifikatat, me sa duket ai amendament është hequr përsëri. Por ajo që të revolton, është përse krijohen situata të tilla antiligjore e antikushtetuese nga vetë qeveria shqiptare? Sigurisht, amendamenti i sipërpërmendur i Ligjit për Gjendjen Civile u bë tinëzisht për të mundësuar pikërisht futjen e elementit të kombësisë në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë. Dhe këtë e çorbë e gatoi vetë qeveria shqiptare. Ashtu siç gatoi më parë çorbën tjetër, me Marrëveshjen për Kufirin Detar me Greqinë. Për ta mundësuar këtë marrëveshje të ndyrë esadiste, të nënshkruar fshehurazi në 2008, një vit para qeveria e Sali Berishës kishte abroguari fshehtazi Ligjin për Kufirin e Republikës së Shqipërisë, i cili përcaktonte qartë vijën bregdetare dhe nuk lejonte të luhej me kufijtë e vendit, siç deshi të bënte kjo turmë plaçkitësish ordinerë. Por le të përmendim edhe ndonjë protagonistë të dorës së dytë, nga ata që rrinë në gjysmë-hije por që marrin përsipër të bëjnë çdo lloj pune të pistë. Në rastin e Marrëveshjes së Detit të gjithë shqiptarët u njohën me njërin prej tyre, kapitenin Kristaq Gërvenji, të cilin Kryeministri e gradoi, e bëri gjeneral, Zv.Shef të Shtabit të Ushtrisë dhe së fundi Përfaqësues në NATO i Shqipërisë. I Shqipërisë? Si Gërveni në fjalë, nuk shoh pa rol në këto lojërat me ligjet e kundra-ligjet për certifikatat dhe gjendjen civile, personin që përgjigjet për këto punë në Ministrinë e Brendshme, zëvendësministrin Ferdinand Poni. Ky njeri, që me sa duket di vetëm “të trazojë” listat e zgjedhësve dhe të trafikojë vota e kuti votimi, duhet të përgjigjet si ekzekutues material për historinë tjetër të ndyrë të qeverisë Berisha, atë të regjistrimit të popullsisë me vetëpërcaktim të kombësisë, i cili kërkon të trafikojë vetë shpirtrat e ndjenjat më intime të shqiptarëve. Pasi të përgjigjet për vjedhjet 20-vjeçare të votave, z. Poni duhet të përgjigjet bashkë me kryeministrin e tij për shitjen e shqiptarëve nëpërmjet dokumentesh të paligjshme. Uroj që të gjendet ndonjë institucion që të ketë kurajën t’i denoncojë këta njerëz edhe për kësi punësh!

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut
 
Per me teper klikoni me siper ^^^
 
Nese mendoni se kjo faqe vlen per cdo inforamcion,atehere do tju luteshim te gjithe te na ndihmonit duke e shperndare kete faqe ne profilet tuaja thjeshte duke klikuar ketu “Shperndaje”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button