Përse duhej “njollosur” Presidenti Bamir Topi?

Nga Mero Baze
Pak çaste pasi raporti i ODIHR u bë publik, duke hedhur në erë gjithë mekanizmin antiligjor të transformimit të rezultatit në Tiranë, dhe pasi Grupi Ndërkombëtar i Krizave e rifuti Shqipërinë në axhendën e vet si vend që rrezikohej të futej në spiralen e trazirave për shkak të zgjedhjeve, kryeministri Sali Berisha zbuloi lajmin që shpreson se mund të zhurmojë këto dy gjëma. Televizionet e tij, të cilat kanë dy ditë që spekulojnë me votimin e Presidentit të Republikës Bamir Topi, zbuluan më në fund dhe cilësinë e votës së tij, pro Edi Ramës!!!

Lajmi u dha me urgjencë në të gjitha ato televizione ku nuk u dha akoma lajmi i rëndë i raportit të ODIHR. Lajmi u dha edhe me një cinizëm të pafrenuar për të zbuluar më në fund “të keqen” në këtë vend. Por mbi të gjitha lajmi u dha me bindjen e thellë për të shantazhuar Presidentin e Republikës, institucionin i cili po faktorizohej këto ditë si një palë e besueshme për faktorin ndërkombëtar. Sali Berisha nuk mund ta pranonte këtë. Nëse pas 21 janarit i ra shkurt dhe e shpalli puçist së bashku me Prokuroren e Përgjithshme, Shefin e SHISH dhe katër gazetarë, këtë radhë u përpoq të ishte më televiziv me faktet e tij. Shpiku një ngatërresë të ngjyrës gjatë votimit të tij dhe më pas në një proces tërësisht jotransparent dhe të papërgjegjshëm sajuan dhe votën pro Edi Ramës. Nuk ka rëndësi për kë ka votuar realisht, as nuk ka rëndësi sa vota të tjera mund të ishin ngatërruar në atë kuti. Rëndësi ka vetëm fakti që të prodhohej ky lajm dhe Sali Berisha e bëri.

Si qytetar dhe gazetar që e njoh qytetarin dhe politikanin Bamir Topi, as që dua të diskutoj fare cilësinë e votës së tij. Duke qenë një pinjoll i së djathtës kryeqytetase ai në të vërtetë ka votuar publikisht pro Lulëzim Bashën në këto zgjedhje. Mbështetësit e tij në Tiranë, një kategori fanatike e PD-së, por që kanë Bamir Topin si përfaqësues të tyre, kanë votuar dukshëm Lulëzim Bashën. Bamir Topi si qytetar dhe politikan duket qartë se i ka inkurajuar për këtë. Personalisht jam ndjerë keq që ai nuk orientoi votën e tyre kundër Sali Berishës. Bile dhe një fraksion i mbetur i së djathtës në Tiranë, Dashamir Shehi, e mbështeti hapur atë. Nga ky qëndrim politik dhe qytetar i Bamir Topit Lulëzim Basha ka marr së paku dhjetë mijë vota në Tiranë. Kjo është në të vërtetë taksa që Bamir Topi duhet t’i paguajë konformizmit të tij dhe “cipës” si politikan i së djathtës në Tiranë. Spekulimi me votën e tij për Edi Ramën është i lig dhe cinik, pikësëpari për respekt të këtyre dhjetë mijë votave, të cilat Bamir Topi jo vetëm nuk i ka ndalur të shkojnë drejt Lulëzim Bashës, por ka bërë disa gjeste inkurajuese për to. Kjo më bind se ky gjest vjen drejtpërdrejt nga Sali Berisha, i cili e ka në kulturën e tij të mosmirënjohjes dhe në trashëgimin e ligësisë së tij gjestin e pabesë të fyerjes pas përdorimit politik. Ai e përdori politikisht Bamir Topin dhe fluksin e tij elektoral në këto zgjedhje dhe e kafshoi dje kur kish nevojë të fashiste retë e zeza mbi kokën e tij. Nëse Bamir Topi do të duhej të mbështeste Edi Ramën, bile t’i bënte punë reale atij, kishte mijëra vota para votës së tij, por nuk e bëri. Dhe shihet që nuk e bëri për të zezën e vet.

Sulmi i Sali Berishës ndaj tij, është një sinjal se ai nuk ka për t’ia pranuar faktorit ndërkombëtar këtë njeri si ndërmjetës të krizës që po pllakosur vendin. Sali Berisha ka humbur zgjedhjet dhe dje varrosi përfundimisht dhe standardet e tyre. Ai tani nuk do të humbasë veten si palë në zgjidhjen e kësaj krize. Fakti që Perëndimi po trokiste përditë e më shumë në zyrat e Presidentit Bamir Topi dhe perspektiva e errët që ju shfaq dje pas raportit të ODIHR dhe  Grupit Ndërkombëtar të Krizave, zgjuan  instinktet e ujkut të vjetër për të eliminuar atë që mund të ishte palë e besueshme në këtë vend. Sali Berishës i duhej doemos ky lajm, doemos ky “dekonspirim” i votës së Presidentit për tu thënë të gjithëve, por sidomos ndërkombëtarëve se ai është palë me Edi Ramën dhe se ai nuk e pranon autoritetin e tij.

I mirëkuptoj ata mijëra njerëz që ankohen se me këtë skandal u shkel privatësia e votës, apo u shkelën ligji elektoral dhe nene të tjera të procedurës, por ato nuk kanë vlerë. Nuk kanë vlerë se nuk është e vërtetë. E vërteta e vetme e kësaj historie është se Sali Berisha dje ka prekur fundin pasi është braktisur përfundimisht nga Perëndimi, dhe duke u zhytur në pusin e thellë të humbjes së tij, kërkon të marrë me vete gjithkënd që e mendon si palë mbi palët që mund të gjykojë atë. Kjo është e gjitha çfarë ka ndodhur me votën e qytetarit Bamir Topi dhe me mijëra votat e politikanit Bamir Topi. Ato kanë shkuar dëm se kanë shkuar për Sali Berishën dhe kandidatin e tij kukull. Thellë- thellë ndjehem mirë që Presidentit Bamir Topi i ka hapur telashe qytetari dhe politikani Bamir Topi me inercinë e tij për të respektuar ende PD dhe Berishën si një fluks i djathtë dhe progresiv në Shqipëri. Thellë- thellë mendoj se ky sulm i lig i Berishës mund ta na rikthejë një president më aktiv dhe të qartë për padobinë e të sjellurit si qytetar dhe politikan, me një lider primitiv dhe të lig. Thellë- thellë më vjen të plas që Bamir Topi ka çuar mijëra vota në kutinë e kollovarit politik të Sali Berishës, vetëm për shkak të inercisë së tij qytetare dhe politike.  Shpresoj të ketë zënë mend.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut

Per me teper klikoni me siper ^^^

Nese mendoni se kjo faqe vlen per cdo inforamcion,atehere do tju luteshim te gjithe te na ndihmonit duke e shperndare kete faqe ne profilet tuaja thjeshte duke klikuar ketu “Shperndaje”.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button