Duhet të shpëtojmë nga e keqja! “NËSE JO TANI, KUR…?

Na mungon liria, për të qenë të lirë, duhet gjetur një zgjidhje, mbasi kjo politikë na lodhi, na shkatërroi, na bllokoi rrugën e integrimit në Europë. Unë 18 vjeçarja, mendoj: Duhet të shpëtojmë nga e keqja! Dhe pyes, me fjalët e Roberto Savianos: – “NËSE JO TANI, KUR…?

Nga Megi Raspopi

Jam 18 vjeçare, mësoj dhe jetoj në qytetin tim, në Pogradec. Jetën dëshiroj ta kem të qetë, duke e ndërtuar brenda kushteve e mundësive që disponoj në familjen dhe shoqërinë time. Në këtë moshë, si gjithë bashkëmoshatarët, gjendem në startin e jetës. Kam shënuar piketat e projekteve të rrugës që do të nis në jetë. A jam e sigurt dhe e barabartë në shanset dhe sfidat mia? Nesër kur të dalë në jetë, a do të kem hapësira e kushte që të integrohem? A do të mund të jem e lirë prej politikës, pushtetit, NJESH-ave të mjedisit ku jetoj, ose ku do të gjendem, për të qenë e qetë, e lirë dhe kontribuese në veprimtarinë time? Po sot, a kam mundësi të jetojë e qetë? Çfarë kuptoj unë më fjalën “qetësi”? I shtroj këto pyetje, mbasi shikoj që shoqëria jonë gjendet e shpërfillur dhe e traumatizuar prej realitetit që jetojmë e përballemi. Ne shqiptarëve, që na thonë se “jemi të lirë”, kuptoj dhe ndjejë e provojë, se na mungon liria, për të qenë të lirë.

Gjatë fushatës shikoja mësues, mjekë e nëpunës shteti që shkonin në mitingje me lista e në rresht, natyrisht pa dëshirë, por me frikë. Jetë dhe punë e lirë është kjo?! Shumë raste intelektualësh të mirëfilltë e të nderuar në qytetin tim, nuk respektohen, por lihen pa punë nga shteti ynë, mbasi nuk pranojnë të kenë teserën e partisë që ka pushtetin. Unë dua të bëhem e të jem si ata, anëtare e ditur, profesioniste dhe e nderuar e shoqërisë. Po a do të mundem? Sinqerisht them se  dyshoj, nuk kam besim. Realiteti i vlerësimit të njerëzve të kulturuar e të aftë profesionalisht është negativ. Unë nuk dua, që dhe jeta ime e pas studimeve të larta, të trajtohet e të përfundoj kështu. Unë dua të vlerësohem për atë që kam dhe për atë që kam aftësi të bëj për shoqërinë time, për qytetin tim, për vendin tim. Kjo më duket ende larg. Qëndrimet anakronike ndaj votës së lirë, provës së parë të lirisë së një shoqërie demokratike, tregojnë pasigurinë në gjithçka. Nuk dua, që as mua e as të tjerëve, të na cenohen të drejtat e votës, të punës, të shprehjes, e të shanseve për t’u bërë faktor në shoqëri. Unë dua, që shteti im, qeveria ime të mos na mohojë e të mos na cenoj asgjë nga të drejtat që na takojnë.

Si gjithë të tjerët, po ndjek situatën që ka krijuar cenimi i votës së lirë në Tiranë dhe ndihem e shqetësuar maksimalisht. Jetojmë në një vend që aspiron të jetë demokratik e që, prej politikës e propagandës qeveritare, po u paraqitet shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtare, si vend me demokraci të fuqishme. Dëgjova kryeministrin e vendit tim që tha botërisht në TV: “Shqipëria është vend me demokraci të konsoliduar dhe me shtet ligjor”. Shtroj pyetjet: A quhet shtet ligjor ky që shkel ligjin mbi votën? A është vend me demokraci të konsoliduar Shqipëria, kur Presidenti i BE anulon vizitën me motivin: Cenim vote, mungesë stabiliteti e mungesë demokracie? Sipas vlerësimit tim, Shqipëria është një vend i zhytur në demagogji. Vend që drejtohet nga një kryeministër, që përballë një populli të varfër në ekstrem, flet për “ekonomi e cila ka kaluar ylberin”, ose “që jemi i vetmi vend në botë, që s’na ka prekur kriza ekonomike”!

Jetojmë në një vend e në një shtet, që për të hyrë në një punë, nuk duhet të paraqesësh diplomën apo CV, skedën profesionale dhe aftësitë që ke, por vetëm teserën e Partisë Demokratike, ose certifikatën që tregon “lidhjen familjare, fisnore e klanore me udhëheqësin”. Ose akoma më keq fatkeqësisht, duhet të ofrosh ryshfetin madje të “dhurosh” edhe moralin.

Jetojmë në një vend e në një shtet, ku kërkesa dhe përpjekja për lirinë e votës ndëshkohet me jetën prej vetë shtetit. Plotë 4 muaj më parë, si sot në 21 janar 2011, ndodhi vrasja prej policisë shtetërore e 4 qytetarëve në një demonstratë. Ka 4 ditë që vota e cenuar prej shtetit ka ngritur shqiptarët në protestë kombëtare. Shteti, tamam si në 21 janar ka ngritur armët kundër popullit. Kjo duhet të na bëjë të alarmohemi e të mendojmë shumë. Teksa plagët e vrasjes së katër shqiptarëve të pafajshëm nga pushkët e Gardës Republikane janë ende të hapura, hetimet që synojnë zbardhjen e 21 Janarit dhe ndëshkimin e përgjegjësve për këtë krim shtetëror, rrezikojnë të kenë të njëjtin fat me gjyqin e Gërdecit dhe krimet e tjera. Dhe ditë pas dite, kryeministri i vendit tim Sali Berisha, del e flet për demokraci, për liri, për siguri proteste, jete, pune!

Unë MEGI, jam në fillimet e jetës time, të shkollimit profesional e shoqëror dhe dëshiroj të jetë e sigurt e drejta, të mos cenohet, të mos manipulohet, të mos përvetësohet. Të mos cenohet e të mos “vritet” VOTA, “dallëndyshja” e parë e demokracisë. Mbasi nuk dua, që ashtu si në vitin 1997 kur kam qenë vetëm 4 vjeç, apo ashtu si 21 janar 2011, për shkak të kësaj padrejtësie shtetërore babi, mami, vëllai, komshiu, bashkëmoshatari im e gjithë shqiptarët, të dhunohen e të vriten në protesta, por të jenë e të punojnë të qetë, të sigurt.

Mendoj se duhet gjetur një zgjidhje, mbasi kjo politikë na lodhi, na shkatërroi, na bllokoi rrugën e integrimit në Europë. Unë 18 vjeçarja mendoj: Duhet të shpëtojmë nga e keqja! Dhe pyes, me fjalët e Roberto Savianos: – “NËSE JO TANI, KUR…?

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut

Per me teper klikoni me siper ^^^

Nese mendoni se kjo faqe vlen per cdo inforamcion,atehere do tju luteshim te gjithe te na ndihmonit duke e shperndare kete faqe ne profilet tuaja thjeshte duke klikuar ketu “Shperndaje”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button