1973. Greqia: S’ka “Vorio-Epir”, por Shqipëri

Si u detyruan fqinjët tanë jugorë të hiqnin dorë nga pretendimet territoriale drejt Shqipërisë. Ndërsa SHBA mbështetnin fuqimisht diktaturën e kolonelëve, njëkohësisht konsideronin Shqipërinë si faktor stabiliteti. Fakti interesant: Dhëndrri i shefit të Juntës ishte nxënës i Enver Hoxhës
Nga Thanas Mustaqi
Në vitin 1973, kolonelët e zinj, autorët e grushtit të shtetit në Greqi, deklaronin se “S’ka “Vorio-Epir”, por Shqipëri”. Një deklarim i qartë i një politike reale, përkundrejt një fqinji të fortë që më se një herë e kishte shprehur me ashpërsi se nuk i pranonte pretendimet territoriale nga shteti helen. Enver Hoxha dekonspiron ëndrrën sovjetike për të pushtuar Greqinë. Janë puqur ekstremet: normalizimin e marrëdhënieve diplomatike mes Athinës dhe Tiranës e realizuan në maj të vitit 1971 diktatura e djathtë greke dhe diktatura komuniste shqiptare. Të dy palët e kanë parë këtë problem në prizmin pragmatik, pasi “Kolonelët e Zinj” kishin përkrahjen e SHBA-së (vetëm në vitin 1999 ish-Presidenti Bill Klinton ka kërkuar ndjesë në emër të Uashingtonit për mbështetjen e juntës në Greqi, në kontekstin e taktikave të Luftës së Ftohtë). Është interesante se kreu i regjimit shqiptar shfrytëzonte dhe “lobistin” shqiptar, Vasil Zhapa, nip i të famshmit pasanik Vangjel Zhapa, që ishte martuar me vajzën e kreut të diktaturës greke, Papadhopullos. Dhe ka një përkim intrigues: dhëndri i shefit të Juntës kishte qenë nxënës i Enver Hoxhës në Liceun e Korçës. E përjavshmja “Investigim” bën një “inkursion” në histori me fakte pak të njohura. Në vitin 1973, në Shqipëri ekzistonte diktatura e proletariatit; në Greqi vazhdonte diktatura e djathtë e kolonelëve të zinj; në Kili u vendos diktatura e juntës ushtarake. Të tre këto regjime autoritare kishin bekimin e Perëndimit.
KUR AMBASADORI GREK LAVDËRONTE SHQIPËRINË
10 muaj pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Greqi, më 2 shkurt 1972, Hoxhën e informuan për bisedën dhe kërkesat që kishte bërë ambasadori grek në Tiranë (në vitet 1971-1973), Denis Karajanis, në takimin e fundit me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ambasadori grek paraqitej “shumë dashamirës” për përmirësimin e marrëdhënieve të Greqisë me Shqipërinë.
[Denis] Karajanis pretendonte se tok me Pallamasin [Kristian Ksanthopullos, në atë kohë zëvendësministër i Jashtëm] kanë qenë pionierët dhe shtytësit pranë qeverisë greke për likuidimin e mbishtresave absurde që kishte vënë Greqia për të penguar realizimin e këtyre lidhjeve. Ai pra, si “pionier”, ka pas kërkuar po ashtu nga qeveria e tij që të jetë i pari ambasador i Greqisë në Shqipëri.
Karajanis fliste “mirë dhe me simpati” për gjendjen në Shqipëri, pohon se habitet që këtu kudo që shkon e me këdo që piqet gjen kaq bujari dhe mirësjellje për personin e tij si ambasador i Greqisë. Në Greqi, për shkak të propagandës jo të drejtë që është zhvilluar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, nuk mund ta imagjinonin kurrë një gjë të tillë, thoshte ai. Kjo, për fat të keq, vazhdonte ai më tutje, ka lënë akoma mbresa, që ne duhet të bëjmë çmos t’i zhdukim. Ai fliste “me simpati” për sukseset që Shqipëria ka bërë në çdo drejtim dhe, në bisedimet që bënte me përfaqësuesit e ambasadave të vendeve lindore në Tiranë, ai i kundërshtonte, pse deformonin situatën shqiptare, që ishte e qartë. Ai thoshte se ata gënjejnë dhe përçmojnë gjithçka shihet me sy se është e mirë. Shqipërinë duhet ta gjykosh si ka qenë dhe si është bërë tash, pavarësisht se je ose nuk je dakord me regjimin aktual. Ne dëshirojmë, deklaroi në Ministrinë e Jashtme ambasadori grek, të rrojmë në fqinjësi të mirë. Çështjes së pretendimeve territoriale nuk i beson njeri në Greqi dhe “gjendja e luftës” ishte një absurditet, pse sulmi italian vërtet erdhi nga territori shqiptar, por Shqipëria vetë qe pushtuar nga italianët dhe luftoi kundër tyre. Kur ne u bindëm se Shqipëria i rezistoi ndërhyrjes sovjetike dhe nuk përbënte më rrezik për Greqinë, tha ai, bashkë me këtë u zhdukën ,edhe të gjitha arsyet e tjera..
VASILI ZHAPA
Në Ditar Enver Hoxha shkruan: “23 janar 1973. Për çështjen e “Vorio-Epirit”, në popull e në gazeta, nuk flitet më në Greqi, vetëm nganjëherë dhe në ndonjë gazetë thellësisht ultrashoviniste. Shumë njerëz i janë shprehur ambasadorit tonë duke i thënë se ky problem është absurd, reaksionar. Bile nga ana greke u shkua edhe më tej. Ambasadori ynë këto javët e fundit u takua në një pritje me dhëndrin e kryeministrit Papadhopullos [Jorgos Papadhopullos (1919 -1999) ka qenë kreu i grushtit ushtarak të shtetit që u zhvillua në Greqi më 21 prill 1967 dhe kreu i qeverisë ushtarake që sundoi vendin 1967-1973 (kryeministër, regjent, president). Më 23 gusht 1975 ai dhe disa krerë të tjerë të juntës dolën në gjyq dhe u shpallën fajtorë; u dënuan me vdekje, që u kthye më pas në dënim të përjetshëm. Papadhopullosi mbeti në burg, duke mos pranuar amnistinë, deri sa vdiq më 27 qershor 1999 në moshën 80 nga kanceri. Sot, për shumë grekë, Papadhopullosi është simbol i autoritarizmit dhe ksenofobisë]. Ky na qenka shqiptar, nga Labova e Gjirokastrës, quhet Vasili Zhapa, nga familja e famshme pasanike e Zhapajve. Vasili paskësh qenë nxënësi im në Liceun e Korçës dhe ka ikur në Greqi më 1945 me pasaportë të rregullt. Natyrisht, ai i foli ambasadorit tonë me shumë dashuri dhe simpati për Shqipërinë. Në mes të tjerash ai i deklaroi ambasadorit tonë se ato që thuhen për “Vorio Epirin” janë një absurditet i madh, janë gjepura të reaksionit grek. S’ka “Vorio-Epir”, por Shqipëri, grekët atje janë një minoritet shumë i vogël dhe trajtohen në më nyrë të kënaqshme saqë s’ka ku vete më mirë. Në qoftë se shtrohet çështja për rivendikime është Shqipëria ajo që, me të drejtë, mund të bëjë, si për Kosovën etj. Për këto konsiderata të dhëndrit të Papadhopullosit, pavarësisht se është shqiptar, ne nuk mund të mendojmë se nuk është ngarkuar të na i thotë si përgjigje me gojë të fjalimit tim të Vlorës, ose mund të jenë edhe mendime që shkëmbehen me Papadhopullosin dhe rrethin e tij familjar.
ENVERI: E DJATHTA GREKE MË E MIRË SE E MAJTA
… Në situatat aktuale qeveria e Papadhopullosit, një qeveri e djathtë, braktisi politikën e shovinistëve grekë dhe atë po aq shoviniste të ashtuquajtur të majtë të Papandreut me shokë dhe zuri përballë vendit tonë pozita më realiste. Kolonelët grekë u treguan më realistë, pse gjykuan drejt se Shqipëria socialiste, por edhe ajo e paraçlirimit, asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë një rrezik për Greqinë, e cila në asnjë rast nuk është sulmuar nga ne, asnjë rivendikim tokësor nuk kemi shprehur ne (dhe që mund ta shprehnim, po të mendonim si ata që rivendikojnë tokat tona), kurdoherë kemi dashur të rrojmë në paqe me njëri-tjetrin.”.
Diplomacia e shpëtimit
Gjeste domethënëse në ajër dhe det të Enver Hoxhës ndaj Greqisë, që janë parë me “me sy shumë dashamirës” nga “Kolonelët e Zinj,” parakusht për vendosje marrëdhëniesh diplomatike. Më 14 dhjetor 1970, përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në OKB, Sami Baholli, njoftonte Ministrinë e Jashtme se përfaqësuesi i qeverisë greke i kishte thënë që “qeveria e tij e ka ngarkuar t’i lutet që t’i transmetohet Qeverisë Shqiptare, se ajo (qeveria greke) i ka parë me sy shumë dashamirës gjestet e Qeverisë Shqiptare, si lirimin e avionit [i referohet një avioni të linjave ajrore civile greke “Dakota” të rrugëve i rrëmbyer dhe të detyruar të ulej në aeroportin e Tiranës më 16 gusht, 1969.], të varkave etj., dhe do të bëjë përpjekje të përmirësojë marrëdhëniet deri në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”. Enver Hoxha e konsideron këtë “pozitive”, si dhe do ta studionte dhe t’i përgjigjej pozitivisht
MIQËSIA VJEN NGA AJRI
I djathtë që kërkon strehim politik në shtetin komunist, një mjek grek rrëmben avion udhëtarësh dhe e detyron të ulet në territorin shqiptar, dhe pse të dy shtetet nuk kishin marrëdhënie diplomatike. Ngjarja e rrallë, kaq e dendur në ditët tona, ka ndodhur 42 vjet më parë. Më 16 gusht 1969, në mesditë, në Rinas u ul forcërisht një aeroplan “Dakota” i linjave ajrore civile greke, me shumë udhëtarë grekë. E kishte marrë peng me pistoletë në dorë një mjek ushtarak grek, që ishte bashkë me gruan dhe me të birin. Ai i ktheu destinacionin avionin duke kërcënuar ekuipazhin. Me të mbërritur në Rinas, pengmarrësi u deklaroi autoriteteve shqiptare se kërkonte strehim politik në Shqipëri. Natyrisht, për këtë ngjarje të pazakontë, u njoftua dhe diktatori Enver Hoxha. Ky i fundit dha urdhër që Radio Tirana të transmetonte lajmin për uljen e aeroplanit. Të nesërmen avioni u la i lirë të kthehej përsëri në Greqi. Për doktorin dhe familjen e tij, kreu i shtetit dha urdhër që të merrej në pyetje nga organet përkatëse. Pastaj mjeku dhe familja u larguan në shtetin që kishin zgjedhur, ku do të shkonin. “Ç’ta mbajmë këtu!”, kishte ngritur supet Enver Hoxha, që kishte marrë sinjale nga Athina për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Sigurisht, kjo mënyrë sjelljeje dhe mediatizimi i incidentit sensacional i shtoi pikët Tiranës në sy të opinionit publik dhe autoriteteve greke.
EDHE NGA DETI
Nga ajri në det, një gjest tjetër domethënës miqësor i Shqipërisë ndaj Greqisë, pas 7 muajsh. Athina ka falënderuar qeverinë shqiptare për shpëtimin e jetës së 8 grekëve.  Më 19 shkurt 1970, flota luftarake detare shqiptare, pas një sinjali SOS, ka diktuar rënien e zjarrit në një anije tregtare greke që po lundronte në Adriatik, bri brigjeve shqiptare. Menjëherë u ngritën në alarm luftarak mjetet e shpëtimit. Gjithsesi u arrit që të shmangej rreziku i viktimave në ekuipazhin prej 8 vetash. Ata u nxorën në portin e Durrësit dhe iu dha një ndihmë e menjëhershme mjekësore dhe materiale. Ekuipazhi i tronditur ka shprehur mirënjohjen për marinën shqiptare për gatishmërinë, shpejtësinë dhe trajtimin human. Qeveria e Tiranës i kërkoi qeverisë greke të dërgonte t’i merrte sa më parë. Athina falënderoi. Dy vjet më pas, më 5 shtator 1972, Ministria e Mbrojtjes njoftoi për mbytjen në ujërat territoriale shqiptare  të një vapori grek. Mbytja mund të ishte aksidentale, por ndodh që pronarët e tyre i mbytin edhe vetë sepse janë anije të vjetra dhe janë të siguruara. Autoritetet ushtarake u shkuan menjëherë në ndihmë marinarëve grekë.
Diplomacia tregtare
14 vjet para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, qysh në vitin 1957, firma tregtare greke i kanë shkruar Tiranës se donin të bënin tregti me shtetin shqiptar. Këtë e bën të ditur Enver Hoxha më 18 dhjetor 1957, në një intervistë dhënë në Moskë heroit legjendar Manolis Glezos (lindur në vitin 1922, politikan dhe gazetar i majtë grek, i njohur në të gjithë botën sidomos pre pjesëmarrjen në Rezistencën greke në Luftën e Dytë Botërore, kundërshtar i juntës dhe i dënuar prej saj në fillim me vdekje e pastaj me burg, përkrhës i Hrushovit, mik i Enver Hoxhës, që e quajti revizionist) për gazetën “Avgji”,  Enver Hoxha ka deklaruar se kishte ardhur koha që marrëdhëniet në mes të RP të Shqipërisë dhe Greqisë të normalizoheshin: “Të dy vendet tona, pavarësisht nga forma e regjimeve të tyre të ndryshme, duhet të rrojnë në fqinjësi të mirë, të vendosin marrëdhënie diplomatike, të fillojnë shkëmbimet tregtare në mes tyre, të krijojnë gjithashtu mundësitë për marrëdhënie kulturore”.
1957, SHESIM E BLEJMË, RRUGA DREJT NORMALIZIMIT
Lideri shqiptar i thotë Glezosit se “ mund dhe duhet të fillojmë me Greqinë shkëmbime tregtare. Unë mund të them se, pavarësisht se ne s’kemi marrëdhënie diplomatike, një gjë e tillë mund të fillojë, ashtu siç ekzistojnë këto marrëdhënie në mes Greqisë dhe vendeve me të cilat ajo s’ka marrëdhënie diplomatike. Unë mund të them se firma tregtare greke na kanë shkruar se duan të bëjnë tregti me ne. Organet tona tregtare u janë përgjigjur pozitivisht. Ne mund t’u shesim grekëve naftë, bitum, krom e shumë sende të tjera industriale dhe të blejmë nga grekët prodhime industriale, blegtorale etj. Sigurisht kontaktet më të ngushta në mes të firmave tregtare do të hapin perspektiva të mira dhe të leverdishme për tregtinë në mes të dy vendeve tona”.
1970, MARRËVESHJA E PARË
Do të kalonin 12 vjet që Athina të shihte mundësinë për marrëdhënie tregtare. Në tetor 1969, Shqipëria ra dakord me propozimin që përfaqësuesi i Greqisë në OKB i bëri të famshmit Halim Budo (që nënshtroi SHBA dhe BS për çështjen kineze), për të zhvilluar tregti. Por Enver Hoxha urdhëroi Budon që Athinës t’i vihet në dukje se e rëndësishme është që qeveria greke të heqë vendimin absurd të “gjendjes së luftës me Shqipërinë” dhe të lidhë marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Shqipërisë. Kjo dha fryte Tre muaj e ca më vonë, më 20 janar 1970, përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë së Shqipërisë mori kontakt me përfaqësuesin e Dhomës së Tregtisë Greke në Paris, sipas marrëveshjes që pati Halim Budoja në Nju-Jork me  përfaqësuesin grek. Bisedimet shkuan mirë. Greku, Kanelopulos, u tregua “shumë i sjellshëm e miqësor”. Të nesërmen, më 21 janar në Paris, u nënshkrua një marrëveshje mes Dhomave të Tregtisë të Shqipërisë dhe Greqisë. Ajo parashikonte eksporte greke drejt Shqipërisë me vlerë 800 mijë dollarë, kryesisht prodhime industriale dhe lëndë të para, si dhe eksporte shqiptare drejt Greqisë me vlerë rreth 700 mijë dollarë, që përfshinte furnizime me naftë. Marrëveshja zgjaste për një vit, me klauzolën për rinovim nëse deri në tetor 1970 nuk tërhiqej ndonjëra nga palët.
PËRTEJ MALLRAVE
Në muajin shkurt 1970, shtypi grek fliste në mënyrë të ndryshme, sipas rrymave politike që përfaqësonin, për marrëveshjen e shkëmbimeve tregtare në mes Dhomës së Tregtisë Greke me atë shqiptare. Të parët ishin grekët që e kërkuan këtë marrëveshje dhe shqiptarët nuk e refuzuan. Sigurisht diçka lëvizte në Greqi, që kërkonin të bënin tregti me Shqipërinë. Tregtia nuk ishte kryesorja, as për grekët, as për shqiptarët. Në datën 11 shkurt, gazeta qeveritare greke e Juntës “Eleftheros kosmos”, mes të tjerash, shkruante për çështjet e marrëdhënieve me Shqipërinë. Pasi flet për marrëveshjen tregtare në fjalë, gazeta jep arsye të ndryshme që, sipas saj, flasin në favor “të domosdoshmërisë për ta konsideruar Shqipërinë ashtu siç është… Shqipëria nuk është nën ndikimin e asnjë vendi ballkanik ose evropian që mund të përdoret kundër nesh”. Lidhur me të ashtuquajturat rivendikime tokësore, gazeta shkruante se “Greqia nuk e ngre këtë çështje, por nuk e ka lënë atë pas dore dhe ka të drejtë t’i kërkojë Tiranës që të marrë masa të efektshme mbrojtëse për grekët që banojnë atje”.
NGA DHOMAT NË QEVERI
Me porosi të Enver Hoxhës, gazeta “Bashkimi” e 17 shkurtit 1970 botoi artikullin me titull “Një marrëveshje tregtare në dobinë reciproke të popujve shqiptar e grek”, shkrim i shkurtër dhe jopolemik. Ishte koment konciz për shkëmbimet tregtare me idenë se marrëveshja ishte një veprim i arsyeshëm dhe reciprokisht i dobishëm për të dy popujt. Dhe nga niveli i Dhomave të Tregtisë u kalua në nivel dikasterial. Më 2 qershor 1970 u nënshkrua në Athinë një marrëveshje për shkëmbime tregtare midis Greqisë dhe Shqipërisë, i pari kontakt zyrtar mes dy vendeve në mbi 30 vjet. Marrëveshja u nënshkrua në fund të një vizite 12-ditore që bëri në Greqi një delegacion tregtar shqiptar. Kjo marrëveshje që parashikonte porosi deri në 300 mijë dollarë nga secila palë. “Parathënie”  për aktin historik të majit 1971.
Kronika e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike
– Më 25 mars 1966, Qeveria greke, me anë të ambasadorit të saj në Rumani, kërkoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë.
– Më 27 mars 1966, lajmërohet përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në OKB, Halim Budo, të merrej me propozimin e qeverisë greke për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë.
– Më 8 janar 1971, përfaqësuesi shqiptar në OKB, Sami Baholli, që pasoi Halim Budon. pati një takim tjetër me përfaqësuesin e Greqisë në këtë organizatë, Bicios [Dhimitrios Bicios, 1915 – 1984]. Në vazhdim të propozimit të këtij të fundit, i komunikoi se Qeveria Shqiptare, si kurdoherë, është e gatshme të vendosë marrëdhënie diplomatike me Greqinë, të cilat, sipas mendimit shqiptar, të jenë në rang ambasadash dhe të shkëmbehen ambasadorë. Bicios iu përgjigj se do t’ia komunikonte menjëherë qeverisë së tij këtë propozim të Qeverisë Shqiptare. Ai shtoi se qeveria greke “ka konstatuar me kënaqësi se minoriteti grek në Shqipëri ruan dhe zhvillon gjuhën e tij amtare (greke) dhe e mëson atë edhe në shkolla. Po do të ishte mirë, dhe kjo do ta ndihmonte qeverinë greke në veprimet e saj, në rast se Qeveria Shqiptare bën një deklaratë me anë të së cilës të shpallë se i lejon minoritarët të ushtrojnë edhe fenë ortodokse”.
– Më 25 mars 1971, Qeveria greke, nëpërmjet përfaqësuesit të saj të përhershëm në OKB, Bicios, i komunikoi Sami Bahollit formulën e vet për lidhjet diplomatike me Republikën Popullore të Shqipërisë. Ja teksti: “Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe qeveria mbretërore e Greqisë, duke dëshiruar të normalizojnë gjendjen që ekziston tani midis dy vendeve dhe të përgatitin terrenin për zhvillimin e marrëdhënieve të tyre, ranë dakord që të vendosin marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve dhe të këmbejnë përfaqësues diplomatikë në rang ambasadorësh”.
– Më 2 prill 1971, u porosit Sami Baholli të mos i bënte asnjë lëshim përfaqësuesit grek në OKB, Bicios. Grekët do ta pranonin propozimin dhe formulimin shqiptar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
– Më 29 prill 1971, Qeveria greke pranoi të vendosë marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Shqipërisë. Njoftimi për këtë do të bëhej respektivisht në Tiranë dhe në Athinë në datën 6 maj, ora 16. Këtë e komunikoi përfaqësuesi grek në OKB, Bicios.
– Më 6 maj 1971, në Tiranë dhe në Athinë u shpall njëkohësisht vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve Shqipërisë dhe Greqisë.
– Më 14 maj 1971, u botua në gazetën “Zëri i popullit” artikulli me titull “Një ngjarje e shënuar në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë”. për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë, i shkurtër, konciz, politik, pa hyrë as në hollësitë e mosmarrëveshjeve, autori i të cilave ka qenë vetë pala greke dhe as të procedurave që çuan në përfundimin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Greqisë.
– Më 23 maj 1971, Ministria e Jashtme shpejtoi kthimin e Lik Seitit nga Beogradi, se duhej të përgatitej për në Athinë, ku ishte caktuar ambasador.
OKB
Përfaqësuesit e përhershëm të Shqipërisë
1955- 1958 Gaqo Paze
1958- 1961 Reis Malile
1961- 1970 Halim Budo
1970- 1977 Sami Baholli
1977- 1983 Abdi Baleta
1983- 1986 Xhustin Papajorgji
1986- 1992 Bashkim Pitarka
1992- 1993 Thanas Shkurti
1993- 1997 Pëllumb Kulla
1997- 2006 Agim Nesho
2006- 2009 Adrian Neritani
– 5.08.2009 Ferit Hoxha
“DEKLASIFIKIMI”
Hrushovi: Nëndetëse në Butrint kundër Greqisë e NATO-s
Një detaj fjalimi që hyn në histori dhe letërsi, Enver Hoxha zbulon pas 13 vjetësh idenë sovjetike për bazë nëndetësesh në Butrint e atëherë edhe Greqia do të bëhej ruse. “Deklasifikimi” i faktit në një mbledhje publike, ku u citua nga shtypi ndërkombëtar dhe ai grek, i shërbeu edhe Ismail Kadaresë në romanin “Dimri i madh”. Çka ka treguar Hoxha para vlonjatëve ditën e përkujtimit të Pavarësisë, ka hyrë dhe në studimet e sotme historike amerikane, ruse etj, duke shërbyer dhe si burim dokumentar. Njëkohësisht deklarimi ishte dhe një hakmarrje “e ëmbël” ndaj marrëveshjes Hrushov-Sofokli Venizellos. Ishte mesazh domethënës për Greqinë e Kolonelëve dhe NATO-n
NË KURRIZ TË SHQIPËRISË
Sipas radios amerikane “Evropa e Lirë”, lideri liberal grek, Sofokli Venizellos, kishte takuar Hrushovin në fund të muajit maj 1960 dhe i kishte paraqitur, ndër të tjera, çështjen e popullsisë greke në Epirin e Veriut. Venizellosi tha se Hrushovi i kishte premtuar ta trajtonte çështjen e autonomisë së zonës në Shqipëri kur të takonte Emver Hoxhën në Bukuresht. Hoxha mund të jetë zemëruar nga ky lajm. Kombinuar me përkëdheljet ndaj Jugosllavisë, Hrushovi tani po forconte miqësinë me grekët – të gjitha në kurriz të Shqipërisë. Këto konsiderata shumë të rëndësishme kombëtare kurrë nuk mund t’ua heqësh nga mendja ndonjë udhëheqësi shqiptar. Në rastin e Hoxhës ato janë një nga shkaqet kryesore të kundërshtimit të tij ndaj politikës së Hrushovit. Ishte hipokrizi ndaj Greqisë, pasi një vit më parë, gjatë vizitës në Shqipëri, kishte kërcënuar me raketa Greqinë dhe planifikonte të ndërtonte bazë nëndetësesh.
MALINOVSKI
Dhe ja tani i erdhi rasti t’ia kthente Hrushovit hipokrizinë, si me shqiptarët ashtu dhe me grekët. Më 28 nëntor 1972, Enver Hoxha, në fjalën e mbajtur në pritjen e dhënë në qytetin e Vlorës me rastin e 60-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe 28-vjetorit të Çlirimit, tregoi mes të tjerash: “… kjo Vlorë heroike pa edhe Hrushovin [maj 1959]. Kur ky renegat i marksizëm-leninizmit u gjend përpara gjirit të mrekullueshëm të Vlorës, u mahnit dhe në një rast dëgjova bashkëpunëtorin e tij Malinovski [mareshal, ministër i Mbrojtjes i BRSS – “Investigim”] që i pëshpëriste: “E kupton, Nikita Sergejeviç? Me raketat nga Berlini dhe Gjermania Lindore ne tani mund të godasim Gjibraltarin, kurse nga gjiri i Vlorës kemi në grusht gjithë Mesdheun”. Në grusht ata patën erën, pasi Partia dhe Qeveria jonë ua shkatërruan planet. Kurrë Vlora nuk do të gjendet në duart e të huajve. Po ky Malinovski i tha përsëri Hrushovit në Butrint: “Liqen i bukur ky. Po të çahet bregu i detit, këtu afër mund të ndërtohej një bazë e mrekullueshme nëndetësesh e atëherë edhe Greqia do të bëhej jona”. Më shkuan dridhma në trup dhe m’u kujtua ajo natë e errët në Tiranë, ku tok me Vasil Shanton shkruam në mure parullat “Poshtë fashizmi italian! Rroftë populli vëlla grek që lufton për liri!”. Jo, Partia dhe Qeveria jonë nuk do të lejonin kurrë që nga vendi i ullinjve t’i vinte e keqja popullit vëlla grek”!
SHTYPI GREK
Ndërkaq Enver Hoxha është nxehur me dikasterin e diplomacisë, më 23 janar 1973: “për sa i përket thellimit mbi fjalimin tim, kolegjiumi i ministrisë [së Jashtme] këtë as që e ka bërë çështje”.
Kurse shtypi grek, në përgjithësi, i ka bërë jehonë të madhe dhe pozitive atyre që kishte thënë Hoxha për Greqinë, në fjalimin e Vlorës. Ai i ka quajtur deklaratat e Hoxhës si një siguri nga ana shqiptare që asgjë e keqe nuk do t’i vijë popullit grek nga Tirana. Ato gazeta që përpara shanin flisnin ndryshe, shkruanin për gjendjen ekonomike, politike dhe turistike herë mirë, herë çka. Sidoqoftë, opinioni grek ka filluar të dëgjojë kështu një kambanë tjetër për ne dhe kjo është pozitive
RADIO EVROPA E LIRË
Heqja e gjendjes së luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë
Më 3 shator 1987 radio amerikane Evropa e Lirë/ Liria përgatitën studimin “Heqja e gjendjes së luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë (Lifting of the greek-albanian state of war)”  hartuar nga Louis Zanga. Po botojmë disa fragmente. 
“Gjendja e luftës”, që ka ekzistuar mes Greqisë dhe Shqipërisë që nga viti 1940 më në fund u shfuqizua nga një akt i qeverisë greke. Ky formalitet tani hap rrugën për një normalizim të plotë të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve fqinje, proces që filloi në vitin 1971 me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Athinës dhe Tiranës.
Vendimi i Athinës për t’i dhënë fund de jure “gjendjes së luftës” së saj me Shqipërinë është pengesë e fundit në rrugën e normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve. Vendimi është sukses i madh për diplomacinë shqiptare dhe hap i rëndësishëm në hapjen e Tiranës nga periudha e gjatë e vetizolimit të saj. Gjendja e luftës midis dy vendeve ishte anakronizëm nga Lufta e Dytë Botërore dhe ishte simbolike duke qenë se të dy palët rivendosën marrëdhënie diplomatike më 1971 dhe kanë përmirësuar shumë marrëdhëniet në përgjithësi, veçanërisht vitet e fundit. Megjithatë, hapi i ndërmarrë nga qeveria greke është vendim i rëndësishëm që tashmë është mirëpritur nga të dyja palët.
NJË HISTORI E SHKURTËR
Në prill 1939 Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, dhe Mbreti Viktor Emanueli mori titullin e mbretit të Shqipërisë. Vendi u kthye në një provincë të Italisë dhe kishte për qëllim të shërbente si bazë për një sulm italian mbi Greqinë, në tetor të vitit 1940. Në fillim të dhjetorit armatat italiane u kthyen përsëri në Shqipëri, dhe forcat greke pushtuan afro gjysmën e vendit. Italianët rifituan pozitën e tyre vetëm kur nazistët pushtuan Greqinë dhe Jugosllavinë në prill të vitit 1941.
Lufta italo-greke rezultoi në një acarim të marrëdhënieve greko-shqiptare që zgjati për gati gjysmë shekulli. Kur u sulmua vendi i tij, kryeministri grek Janis Metaksas tha se grekët luftonin jo vetëm për të mbrojtur vendin e tyre, por edhe për çlirimin e Shqipërisë. Në momentin e tyre të triumfit, gjithsesi, forcat greke sikurse thanë disa vëzhgues, kanë vepruar më pak si çlirimtarë se fitimtarë, të cilët vendosën administratën e tyre në Korçë, Gjirokastër dhe zona të tjera të pushtuara. Entuziazmi origjinal shqiptar për përparimin grek ra në masë të madhe, kur u bë e qartë se qeveria greke e ditës, në fakt, po ringjallte pretendimin e saj të vjetër ndaj Shqipërisë së jugut (i ashtuquajturi Vorio Epir), që u hodh poshtë në marrëveshjen e paqes të vitit 1919. Çështja helmoi marrëdhëniet mes dy vendeve për shumë vite më pas.
Kisha Ortodokse Greke dhe konservatorët veçanërisht kanë bërë zhurmë për këtë çështje. Në fillim të këtij viti, për shembull, kryepeshkopi ortodoks grek Iakovos i Amerikës së Veriut dhe Jugut iu lut qeverisë të mos heqë gjendjen e luftës para se të nënshkruhet një traktat paqeje midis dy vendeve që “do të sigurojë të drejtat e njeriut për grekët në Vorio Epir”; dhe vetëm një javë para heqjes së “gjendjes së luftës”, Konstantin Micotaqis, kreu i Nea Demokracisë, partia më e madhe opozitare greke, sikurse njoftoi agjencia jugosllave e lajmeve Tanjug, ka kundërshtuar ndërmarrjen e këtij hapi përfundimtar. Partia e tij kërkon që Tirana të garantojë të gjitha të drejtat e pakicës greke në Shqipëri, duke përfshirë lirinë e fesë. Kryeministri grek Andreas Papandreu, megjithatë, vazhdoi kursin e tij të përmirësimit të marrëdhënieve me Tiranën duke i dhënë fund anomalisë përmes një akti qeverie në vend se të aksionit parlamentar.
NJË FAQE E RE

Një faqe e re në marrëdhëniet greko-shqiptar mund të jetë kthyer me heqjen e gjendjes së luftës. Për disa vjet ka qenë evident një përmirësim i qëndrueshëm në marrëdhëniet. Ky përmirësim ka përfshirë tregtinë, bashkëpunimin në bujqësi, arsim, kulturë, turizëm, si dhe kontaktet mes zyrtarëve të lartë qeveritarë. Tashmë është përshëndetur si zhvillim i ri i rëndësishëm në marrëdhëniet midis Athinës dhe Tiranës një vizitë pesë-ditore në Greqi, e zëvendësministrit shqiptar të punëve të jashtme Sokrat Plaka, vizitë që nis më 4 shtator.i u detyruan fqinjët tanë jugorë të hiqnin dorë nga pretendimet territoriale drejt Shqipërisë. Ndërsa SHBA mbështetnin fuqimisht diktaturën e kolonelëve, njëkohësisht konsideronin Shqipërinë si faktor stabiliteti. Fakti interesant: Dhëndrri i shefit të Juntës ishte nxënës i Enver Hoxhës

Një faqe e re në marrëdhëniet greko-shqiptar mund të jetë kthyer me heqjen e gjendjes së luftës. Për disa vjet ka qenë evident një përmirësim i qëndrueshëm në marrëdhëniet. Ky përmirësim ka përfshirë tregtinë, bashkëpunimin në bujqësi, arsim, kulturë, turizëm, si dhe kontaktet mes zyrtarëve të lartë qeveritarë. Tashmë është përshëndetur si zhvillim i ri i rëndësishëm në marrëdhëniet midis Athinës dhe Tiranës një vizitë pesë-ditore në Greqi, e zëvendësministrit shqiptar të punëve të jashtme Sokrat Plaka, vizitë që nis më 4 shtator.
Per me teper klikoni me siper ^^^

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button