Me vllehët e Sarandës: Po kërkojnë të na asimilojnë

Një ditë mes banorëve të fshatit Shkallë të Komunës së Xarës, të banuara kryesisht nga arumunë.

Deklarojnë qartazi se nuk kanë asnjë gjak greku ndër deje, e as që u shkon ndërmend që të ndërrojnë kombësinë nëpër pasaporta e regjistra Gjendjesh Civile. 

 
Tek banorët vllehë të fshatit Shkallë, komuna Xarë në rrethin e Sarandës, deklarimet e ish-konsullit grek në Korçë, Theodhoros Ikonomu, se dhe vllehët janë grekë, shoqërohen me një habi, të përzier me ca nënqeshje që përçojnë injorimin dhe njëherësh talljen për të tilla qëndrime, sipas tyre, qesharake por jo dhe aq. Ndërsa ndërrimin e kombësisë prej disa individëve, me prejadhje greke a shqiptarë qofshin, e quajnë një budallallëk me brirë.

Shkalla është një fshat tipik i banuar prej vllehësh, pak kilometra larg kufirit me Greqinë, në anë të rrugës Sarandë-Qafë Botë. Aty jetojnë rreth 800 banorë, pothuaj të gjithë vllehë, të ngulur aty që nga Lufta e Parë Botërore.

Advertisement

Edhe ata këto ditë, janë përfshirë në vorbullën e problematikave me substrat nacional, të provokuara prej deklaratës së ish-konsullit grek Ikonomu se dhe vllehët janë grekë, apo ndërrimit të kombësisë në gjykata apo Gjendje Civile, ku me shkelje ligji e ku me një ligj, të konsideruar absurd nga disa zëra institucionalë shqiptarë.

“Eshtë e habitshme, thonë ata, se si autoritetet greke, marrin kurajë të na quajnë grekë. Ne jemi me origjinë arumune, por me kombësi shqiptare, sepse e kemi lidhur jetën dhe ekzistencën tonë me këtë vend. E duam këtë vend sepse dhe na ka dashur, na ka mbajtur e na ka dhënë tokë për t`u ushqyer e për të jetuar, në në farë mënyrë jemi shqiptarë, paçka origjinës.

Por grekë nuk ka asnjë mundësi të jemi”,- shprehen kështu dy prej banorëve më të njohur të fshatit, Kristo Kondi e Vasil Bakalli. Si për t`i injoruar pretendimet greke, Kristo Kondi, përmend dhe pretendimet e tyre për ta përvetësuar Skënderbeun, duke luajtur me një tezë tejet qesharake: atë që meqë Skënderbeu ka luftuar turqit, qenkësh automatikisht një grek!

Ndërsa Vasil Bakalli sjell shembullin e asaj që kur kanë qenë në Greqi, grekët u kanë thënë alvanos, pra shqiptarë. “Nëse do ishim greke, le të na thërisnin grekë”, thotë ai.
Ata thonë se vërtet të parët tanë mund të kenë ardhur nga Greqia, por edhe kjo nuk do të thotë se jemi grekë.

Sepse sipas tyre, vllehët apo arumunët siç quhen ndryshe, njihen popull shëtitës për shkak të profilit të tyre jetësor si çobenër që shkojnë e jetojnë nga të munden. Dhe kështu, ka ndodhur që kanë shkuar e kanë shkelur në shumë vende, deri sa janë ngulitur në disa prej tyre.

Por origjina e tyre është arumune, e shprehur në gjuhë, tradita e rite fetare. Por ata habiten me trazimet që provokon greku. Ata e konsiderojnë veten paqësisht shqiptarë, pa asnjë kompleks në raport me bashkëkombasit e tyre dhe deri diku mirënjohës ndaj shqiptarëve, në vendin e të cilëve, kanë ngritur jetët e tyre në shekuj apo vite. Edhe pse e pohojnë origjinën e tyre arumune, atyre as që u shkon ndërmend të merren me ndërrime kombësish, ndërkohë që janë irrituar prej pretendimve greke për t`i përfshirë nën sqetullat e tyre nacionale.

Nga ana tjetër, thone se dhe me minoritetin nuk u është ngrënë fort muhabeti. “Më tepër, kemi qenë të afrueshëm me lebërit”, thotë Kristoja. Ndërsa për arsyet e këtij fenomeni, ngurrojnë t`i thonë troç se cilat janë, por Vasili, e nxjerr pak e nga pak kokën, duke thënë se prej vllehëve, minoritarët janë parë pak si me një stad më të ulët shoqëror karshi tyre.

E ky perceptim i tyre, siç thonë, lidhet me një kohë tjetër, kur grekërit vinin në Shqipërinë e Jugut, duke punuar si argatë; në një Shqipëri ku ishte ku e ku më lart se Greqia nga ana ekonomike. Por sot, kohërat kanë ndryshuar, e grekët po përpiqen të realizojnë qëllimet e tyre për pretendime tokësore e nacionale, duke përfituar nga një tjetër situatë ekonomike, shoqërore e politikë që po kalon Shqipëria, komentojnë ata.
Panajot Bakalli, i biri i Vasilit, i cili mban dhe detyrën e kreut të Shoqatës së Arumunëve për Sarandën, është më i ashpër në qëndrimt e tij. Në një kalendar që ka financuar vetë, ai të tregon katër figura të mëdha të artit shqiptar, si Sandër Prosi, Margarita Xhepa, Nikolla Zoraqi e Prokop Mima, sipas tij me origjinë vllehe, e të pyet retorikisht se si mund të jenë grekë këta.

Më tej, duke shfletuar kalendarin të nxjerrë përpara biografinë e një martiri vlleh, Papa Llambro Ballamaçi, duke të treguar se si është ekzekutuar nga andartët grekë më 1924. Po ashtu, Panoja të citon dhe Sami Frashërin nga vepra e tij “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është dhe ç`do të bëhet”, ku ka thënë se shqiptarët në Ballkan, një komb kanë me të cilin rrojnë në paqe, e ata janë arumunët.

“Deklaratat e ish-konsullit grek Ikonomu nuk përbëjnë asnjë shqetësim për banorët arumunë, për vetë faktin se ne jemi faktor stabiliteti në Ballkan e jo faktor destabiliteti siç janë ata”, shprehet Panoja. Ai thotë se meqë ish-konsulli grek pretendon se vllehët janë grekë, do dontë ta pyeste se kur të lindi nëna, ti fole greqisht, por unë si fola? E pra unë fola në gjuhën time, rumanisht. E nëse ju i qani të vdekurit greqisht, ne i qajmë në gjuhën tonë dhe ritet fetare ua bëjmë në gjuhën tonë”, komunikon në distancë Panoja me diplomatin e Athinës.

Për kreun e Shoqatës së Arumunëve të Sarandës, sa herë që Shqipëria kalon momente krize, qarqet greke bëjnë deklarime të tilla. Sipas tij, është e papranueshme heshtja dhe mosreagimi dy përfaqsuesve për minoritet në Këshillin e Ministrave, Kostandina Bezhani e Kristo Goxhi, karshi deklaratave të
ish-konsullit grek.

Po ç`fshihet pas këtyre zhvillimeve, apo pas përfshirjes së vllehëve në “lojën greke”, nëse shprehemi kështu?!

Sipas Panajot Bakallit, rreth 40 për qind e Greqisë Veriore, përbëhet nga vllehë. Po ashtu, sipas tij, edhe në Shqipëri, vllehët janë më të shumtë në numër se minoriteti, që siç thotë ai, ka rreth 60 mijë banorë, ndërkohë që vllehët e tejkalojnë këtë shifër. Dhe, duke e vijuar prognozën e tij Panoja, ëndrra greke është asimilimi i vllehëve; shndërrimi i tyre në grekë, duke përfituar nga disa rrethana, për të patur më pas pretendime territoriale. Për këtë, ai sjell si argument dhe deklaratën e një pushtetari të lartë të zonës me prirje filogreke, i cili ka thënë se “do t`i shpërbëj vllehët”.

Por sipas Panos, kjo nuk do të ndodhë, sepse sipas tij, “grekët nuk na i ndërrojnë nënat që na lindën e na mëkuan në gjuhën tonë”.
“Ne jemi shqiptarë, me kombësi shqiptarë, por me prejardhje vllehe”, duket sikur është sllogani i tyre jetesor.

Vllehët e Shkallës, nuk ndalen vetëm në vërtetësinë e qenies së tyre entike a nacionale. Ata thonë se dhe shumë fshatra apo zona në jug të vendit të dominuara nga ortodoksia, janë tipikë shqiptare, ndonëse është abuzuar me fenë e tyre. E si shembull, ata të përmendin Senicën, Nivicën, Shën Vasilin, Xarën e Mursinë, e pothuaj gjithë fshatrat e bregdetit, përfshirën dhe Himarën. “Edhe ne jemi ortodoksë, thonë ata, por nuk na bënë në asnjë rast grekë!”

Vllehët e Sarandës, asnjë ndërrim kombësie

Përveç pohimit të prejardhjes së tyre si arumunë, vllehët e Shkallës, nuk u shkon ndërmend të merren me gjygje për të ndërruar kombësinë, ta shkruajnë atë ndryshe nëpër çertifikata apo regjistra Gjendjesh Civile. Ata mjaftohen me atë që ta ruajnë identitetin, gjuhën e ritet e tyre, paçka se zyrtarisht quhen shqiptarë.

Dhe deri diku të tillë ndihen. Kristo Kondi thotë se unë në këtë vend u linda, u rrita, u edukova, u shkollova, bëra ushtrinë, krijova familje e vijoj të jetoj pa asnjë problem. Si thotë se nëse greku pretendon dhe atë që vllehet kanë luftuar për Greqinë, kjo nuk ka si të na bëjë grekë.

Unë do luftoja pa asnjë ngurrim edhe për Shqipërinë, përballë grekut apo çdo të huaji tjetër.
Në Shkallë, nuk ka asnjë banor që të ketë aplikuar për ndërrim kombësie. Nuk bëhet fjalë për tu bërë nga shqiptar grek, por nga shqiptar rumun.

Por as kjo nuk mund të ndodhë. Ata e garantojnë këtë dhe në realitet kjo është e vërtetë. Nga ana tjetër, edhe nëse ka ndonjë vlleh që merr pensione nga Greqia, kjo nuk i ka detyruar ata që të greqizohen. Pensionet i kanë marrë pasi emrat e tyre kanë qenë të regjistruar në dokumentat greke, duke qenë se vite të shkuara kanë punuar aty, por jo se janë grekë.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut

Per me teper klikoni me siper ^^^

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button