Do derdhim gjak për “Vorio Epirin”

Dëshmia e Rolandit, studentit shqiptar në shkollën ushtarake greke: “Këngët anti-shqiptare ishin të zakonshme. Këndonin në paradë me altoparlant poema epike për Vorio Epirin. Koloneli mbante në zyrë hartën e Greqisë së Madhe. Urrenin shqiptarët edhe turqin

Nga Ardit Saliaj

Ngjarja shkurtimisht

Në 1 mars : Gazeta greke Ta Nea publikoi lajmin se në YouTube është hedhur një video që paraqet këngë urrejtjeje kundër shqiptarëve. Në videon e quajtur “marshimi 50 kilometra”, paraqitet një togë ushtarësh grekë duke kënduar: “Ne do të bëjmë lidhëse këpucësh me zorrët e shqiptarëve”.

2 dhe 3 Mars : Media shqiptare publikoi skandalin duke bërë presion mbi qeverinë e Tiranës për protestë diplomatike.

4 Mars : Zëvendësministri i Mbrojtjes së Shqipërisë e konsideron videon “në papajtueshmëri me klimën e mirëkuptimit mes dy vendeve”.

5 Mars : Ministri i jashtëm Besnik Mustafaj deklaron në kuvend se nuk dëshiron të bjerë pre e provokimeve të opozitës për reagim të ashpër ndaj videos. Zyrtarë të tjerë të qeverisë së Tiranës nxitojnë të shpallin videon si një rast i izoluar dhe jo si politikë zyrtare e Athinës.

6 Mars : Ministria e Mbrojtjes se Greqisë deklaron përmes një zëdhënësi se ka hapur hetime, porse këngë të tilla të urrejtjes ndaj fqinjëve janë ndaluar gjashtë vite më parë në Ushtrinë Greke.

7 Mars : Në internet, disa shqiptarë hedhin një “listë të zezë” që përfshin emrat e bizneseve dhe mallrave greke, duke bërë thirrje për bojkot ekonomik.

8 Mars : Zyrtarë të qeverisë greke përhapin thashethemin se video është e pavërtetë, por ndërkohë, gazeta Ta Nea thotë se hetimi ka identifikuar kohën dhe togën e ushtarëve që paraqiten në video.

Na konsiderojnë si armiq (ektron). Jemi në gjendje lufte me ta, përcjell Rolandi zërat e moshatarëve të vet grekë, kryesisht nga zonat e thella të Greqisë që urrejnë shqiptarët dhe turqit. Me të njëjtën urrejtje. Por Rolandi flet se ka dhe reagime pozitive…

Është rreth 30 vjeç dhe e ka ndjekur historinë e videos greke, më i ditur se të tjerët. Pasi ka patur rastin ta jetojë live një rast të ngjashëm. Ka studiuar në shkollën kryesore ushtarake greke në Athinë “Shpresa të reja”, Evelpidhon. Pasi ka lënë përgjysmë shkollimin ushtarak i është kthyer përfundimisht jetës civile. Duke mos harruar episodet e 3 viteve të kaluara në Athinë, në shkollën e vendosur në lagjen Vari.

Quhet Roland Pirgu (emër që po i vë une per arsye se ska dashur te behet publik), nuk pranon të identifikohet dhe jep një dëshmi të besueshme për atë se ç’ mentalitet është tipik për ushtrinë dhe për drejtuesit e saj në Greqi. Dëshmi e ekuilibruar, por që flet shumë. Sipas Rolandit, ka disa këngë të tjera që janë normale në gjirin e ushtrisë greke, veçanërisht në forcat speciale. Ka një këngë për Vorio Epirin, një këngë tjetër për Turqinë. Shqipërinë, një pjesë e mirë e të rinjve e konsiderojnë armike- kemi akoma ligjin e luftës në fuqi. Dhe studentët e vjetër të vitit të katërt keqtrajtojnë studentët e rinj shqiptarë. 5 herë më shumë se të tjerët e vitit të parë: detyrim për të pirë tre kana me ujë; koktejin e uthullës, me vaj, kripë, piper dhe sende të tjera.

Rolandi i nxitur nga dëshmia e ministrit grek të mbrojtjes se në shkollat tona ushtarake ka të rinj shqiptarë që “ ne i strehojmë, i ushqejmë dhe i edukojmë”.

Vijon dëshmia e tij.

Si shkove në Greqi?

Shkolla e Bashkuar nuk ishte stabilizuar akoma dhe kështu shkova me dëshirë në Athinë për të vazhduar atje. Në shkollën Shpresa të reja (Evelpidhon), na dërguan në fillim në një konvikt të ish infermierisë së lartë ushtarake për të mësuar gjuhën. Në fillim shkonim nga 3-4 vetë ndërsa tani më kanë thënë se shkojnë 4-5 vetë me bursë. Edhe në shkollën ajrore apo të marinës.

Çfarë marrëdhëniesh vendose me të rinjtë grekë të shkollës?

Përgjithësisht të mira. Veçanërisht me të rinjtë e qyteteve të mëdha, me të cilët nuk kishim probleme. Problemet më të mëdha i kishim me ata që vinin nga zonat fshatare, zonat e thella, veçanërisht ata që vinin nga Maqedonia e Greqisë, nga Evroja, etj.

Cili ishte incidenti i parë me ta?

Debati i parë nisi për origjinën e Aleksandrit të madh. Në dhomë, me njeri tjetrin, dikush nga shokët e mi, mbrojti idenë se Aleksandri ishte shqiptar pasi nënën e kishte ilire. Një djalë grek refuzoi me forcë dhe ajo që ishte më e çuditshme ishte se gjithçka ne kishim debatuar përfundoi në komandë. Na thirrën dhe filluan të na qortonin se pse duke qenë ushtarakë ne merreshim me politikë, me histori. Po bëhej problem i madh dhe mund të kishim pasoja nëse nuk do të ndërhyja unë dhe të thosha si me shaka: “ në anët tona thonë se nëna dihet, por babai jo.” Qeshën dhe historia u çdramatizua.

Po me oficerët? Pate fërkime?

Përgjithësisht kishim marrëdhënie korrekte. Por një ditë u përplasa dhe me ta. Më thirri komandanti i kompanisë në zyrë. Në mur kishte një hartë të Greqisë së zgjeruar. Bënte pjesë dhe Shqipëria e Jugut, ajo që ata e quajnë Vorio Epir. I thashë se çdo njeri mbante në zyrën e vet atë që donte dhe atë që i kishin mësuar. Po, mu përgjigj oficeri, jemi në zyrën time ,siç e shikon. Unë jam shqiptar, i thashë dhe mua më kanë mësuar se Shqipëri, i thonë deri këtu- duke i treguar Artën. Nuk do hyjmë në histori, por unë ndjehem i fyer nga kjo hartë. Të nesërmen nuk ja pashë më atë hartë në zyrë, por as në një mjedis tjetër.

A e dëgjove historinë e videos?

Po dhe mu duk e zakonshme, pasi unë kam dëgjuar live këngë të tilla.

Si ndodhi?

Po bënim rreshtore në sheshin para shkollës. Mbi 1000 studentë. Ishte një këngë që transmetohej me altoparlant dhe që unë e kisha dëgjuar dhe njëherë tjetër, kisha marshuar me të me hap ushtarak, por nuk i kisha vënë veshin. Herën e dytë reagova. Vargjet ishin pak a shumë kështu: Ne do ta marrim Vorio Epirin, dhe do derdhim gjak për të. Protestova duke dalë nga rreshti dhe u bë zhurmë e madhe. U ankova tek koloneli që ishte komandanti i shkollës. Nuk u këndua më ajo këngë. Por ama kishte këngë të tjera për turqit.

Dhe si ishte ajo këngë?

Do t’u presim kokat dhe me to do të lozim. Do t’ i pimë gjakun.

A protestuat për të?

Jo sigurisht. Ata i urrenin turqit, aq sa hapeshin dhe me ne. Dmth me ne flisnin kundër turqve. Ndoshta me të huajt e tjerë flisnin kundër nesh.

Pse kishte të huaj të tjerë?

Kishte gjeorgjianë, armenë, afrikanë nga Ruanda, etj. Me ta ne shkonim shumë mirë.

A u këndua herë të tjera kënga që fliste për Vorio Epirin?

Dy herë.

Po në shkollat e tjera?

Ne kishim komunikim me shokë të tjerë që ishin në shkollën ajrore Ikarion dhe në atë të marinës Skolidholimon. Edhe atje kishte incidente të ngjashme, sigurisht me tabllo të ndryshme.

Ç’mund të thuash për këngët që u bënë të famshme?

Këngë të tilla janë të vjetra dhe janë kënduar gjithnjë. Ato trajtohen njëlloj si këngët e rapsodëve, dmth. të gjithë që e këndonin, mund të shtonin ndonjë varg. Por vazhdonin të këndoheshin kudo. Sigurisht më shumë në forcat e zbulimit apo ato speciale, beretat e gjelbra dhe ato të kuqe. Sepse ata kishin stërvitje më intensive.

Po incidente të tjera?

Një ditë pranvere ishim në një fushim që bëhej në një mal afër Athinës. Mbanim zjarrin ndezur dhe koloneli që drejtonte stërvitjen tha: ruani drutë se mos jua vjedhin ndonjë jevgjit apo ndonjë shqiptar që mund të jetë këndej afër. Bëra të dilja nga rreshti dhe më mbajtën shokët e mi grekë me të cilët dhe sot kam marrëdhënie shumë të mira. Komunikojmë me email me ndonjërin prej tyre.

Siç po më tregon, nuk kishit probleme të mëdha apo jo?

Jo, kishte racizëm gjithnjë. Përgjithësisht grekët nuk na afronin, oficerët ishin të rreptë. Kishte mes studentëve që thoshin dhe ankoheshin tek eprorët. Këta janë armiqtë tanë,( ekthros) ne jemi në gjendje lufte me ta. Si mund t’ i mbajmë ata mes nesh dhe t’i besojmë sekretet e ushtrisë sonë? Dikush më thoshte duke më provokuar: sot dëgjova në televizor se do fillojë operacioni Fshesa. Do ju përzemë të gjithë. Reagova me egërsi dhe disa prej shokëve me qetësuan.

Nuk shoh ndonjë problem të madh…
Studentët e viteve të katërt konsideroheshin si të “vitit komandues” dhe me ta kishim probleme të mëdha fyerje dhe keqtrajtimesh. Përshembull vinin në mensë dhe të jepnin një situatë: “ ka bombë poshtë tavolinës. Duhet të pish tre kana me ujë. Ose të pish koktejin.”

Kudo ushtarët e vjetër keqtrajtojnë më të rinjtë.Dhe tek ju e bënin dhe me grekët e viteve të para apo jo?
Dhe ky kokteji ç’ishte?

Po, por norma ishte tek ne 5 herë më shumë se tek grekët. Një shoku im kishte provuar këtë koktejin. Një përzierje e tmerrshme vaji, uthulle, erëzash, dhe lëngjesh të tjera që gjendeshin në tavolinë.

Po keqtrajtime mbi bazë fetare kishit?

Jo. Ama të premten ishim të detyruar të shkonim në kishë. Për sfidë, megjithëse nuk ishim fetarë i thamë që ishim myslimanë. U detyruan që të improvizonin një vend ku të faleshim në mencë ose aty ku studionim.

Dhe ti vendose ta lije shkollën?

Kam vuajtur shumë që të përmbahesha dhe të mos reagoja. Ishte vërtet një vuajtje e madhe e përditshme. Për mua që isha rritur mes dashurisë prindërore, ishte një stres i madh të jetoja në një mjedis si ky. Një ditë pasi kisha thyer liridaljen më dënuan me një kohë izolimi të gjatë. Ishim e vetmja shkollë ushtarake në gjithë Greqinë që kishim dhomë izolimi. U mërzita shumë dhe protestova dhe më në fund mu mbush mendja të mos vazhdoja më. Kështu që një ditë me pantallona të shkurtra, me një çantë të vogël ika nga muri. Mora në telefon oficerin e rojes dhe i thashë se nuk kthehem më. Mu lutën, më kërkuan, por nuk u ktheva më.

A ka të tjerë që e kanë lënë shkollën?

Po. Dikush e la në mes që në vitin e parë të gjuhës. Dikush tjetër në vitin e parë. Unë bëra gjithsej tre vjet.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close