Arratisja e bujshme e anijes “Dukati” në ’89-ën nga Durrësi në Brindizi, shkaktoi “furtunë” te Tirana zyrtare!

Emisioni më ri ‘Black History’ me ciklin e dokumentarëve që ka startuar nga nëntori i vitit të kaluar në televizionin Top News, me tema nga periudha e regjimit komunist të Enver Hoxhës, (i cili trasmetohet çdo të martë dhe të enjte në ora 20.00 në Top News), sjell këtë rradhë një histori mjaft interesante dhe të panjohur më parë, atë të ngjarjes së rrëmbimit me forcë dhe arratisjes së anijes “Dukati” nga porti i Durrësit, për në Brindizi të Italisë, më 6 janar të vitit 1989. Gjë e cila u bë e mundur pasi ekuipazhi i saj prej shtatë vetash, u mbajt peng nga nëntë persona nga qyteti i Durrësit, që kishin hipur fshehurazi në hambarët e asaj anije.

Ajo ngjarje e bujshme e ndodhur plot 33 vite më parë, jo vetëm shkaktoi një “furtunë” të vërtetë në rradhët e strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi u arrestuan, shkarkuan, dënuan apo u morrën masa të rënda, për plot 30 persona, duke filluar nga nënoficeri i Pikës së Kalim-Kontrollit në Portin e Durrësit që duhet të kontrollonte anijen para nisjes në det të hapur, Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit, Qirjako Mihali, Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, e deri te ministri i Punëve të Brendshme, antari i Byrosë Politike dhe sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Hekuran Isai, që morri vërejtje të rëndë në mbledhjen e Byrosë e cila zgjati disa ditë nën drejtimin e Ramiz Alisë, por ajo ngjarje, gati sa nuk shkaktoi dhe prishjen e marrëdhënieve zyrtare me shtetin Italian, gjë të cilat pothuaj ishin të ngrira që nga viti 1985, pas futjes së gjashtë pjestarëve të familjes Popa, në selinë e ambasadës italiane në Tiranë.

Nëpërmjet dokumenteve arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ai Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilat bëhen publike për herë të parë, si dhe mjaft pamjeve filmike, autorët realizues të ciklit të dokumentarëve ‘Black History’, në këtë dokumentar që do jetë në tre pjesë (nga 35 minutja sejcili), kanë rindërtuar të gjithë ngjarjen e bujshme, e cila fillon me një korrespodencë të titullarve kryesorë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, (Reiz Malile dhe Sokrat Plaka) me ambasadën italiane në Tiranë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme në Romë, ku bëhet e ditur lidhur me ngjarjen e datës 6 janar 1989, kur anija “Dukati” gjatë lundrimit në Detin Adriatik, u rrëmbye nga kapiteni i saj, Enver Meta, i cili kishte fshehur tetë shokë të tij në ambientet e anijes dhe bashkë me ta, mbajti peng shtatë pjestarët e ekuipazhit, (brigadier Riza Vokshi, motorrist Agron Guza, peshkatarët: Bardhyl Vogli, Sokol Biçaku, Adrian Lako, Fisnik Koçi, Andrea Filjari, Bujar Dalani dhe Bujar Shullani), deri sa dolën në portin e Brindizit.

Arratisja e bujshme e anijes “Dukati” në ’89-ën nga

Më pas dokumentari vazhdon me demarshet e qeverisë shqiptare pranë shtetit Italian, duke kërkuar jo vetëm kthimin e anijes “Dukati” në Shqipëri, por edhe ekstradimin e të nëntë “terroristëve” (Bardhyl Vogli, Skënder Vogli, Ilir Dervishi, Agron Dervishi, Mustafa Meta, Artan Serjani, Qamil Nikshiqi dhe Arsen Shahini), që kishin rrëmbyer anijen, me në krye kapitenin Enver Meta, të cilët sipas Tiranës zyrtare, “ishin të implikuar në kontrabandë dhe ishin trafikantë droge”.

Ndërsa Tirana zyrtare vazhdonte demarshet më shtetin Italian, duke kërkuar kthimin e “nëntë terroristëve” në Shqipëri, të cilat duhet t’i jepeshin organeve të Drejtësisë dhe në qytetin e Durrësit kishin filluar hetimet për zbardhjen e ngjarjes, “grupi terrorist” me në krye kapitetin Enver Metas, kërkoi azil politik në shetin fqinjë, pasi më parë disa prej tyre, kishin dhënë intervista në disa prej gazetave kryesore të Italisë, (duke rrëfyer për kushtet në kufijtë e mizerjes që ata jetonin në qytetin e Durrësit), gjë e cila bëri bujë të madhe në të gjithë gadishullin Apenin.

Ngjarja në fjalë e rrëmbimit dhe arratisjes së anijes “Dukati” nga porti i Durrësit për në Brindizi të Italisë, që u analizua gjatë edhe në një mbledhje të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, e cila zgjati disa ditë dhe u drejtua nga Presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia, pati debate mjaft të ashpra ndërmjet antarëve të Byrosë, me akuza dhe kundër-akuza ndaj njëri tjetrit, madje duke hyrë deri në problemet e tyre të brendshme familjare.

Si përfundim, mbledhja e Byrosë Politike aporovoi njëzëri masat përkatëse, ku u arrestuan, dënuan dhe morrën vërejtje të rënda rreth 30 funksionarë të lartë, duke filluara nga ata të strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (si: Shemsi Spaho, Arif Mezini, Hamdi Medani, Sabri Keçi, Kapllan Vani, Adrian Lala, Bajram Idrizi, Sadik Ahmeti, Pëllumb Dedja, Ferit Zeneli, Ismail Skeja etj.) e deri tek Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, zëvëndësministri Agron Tafa, antari i Byrosë Politike Qirjako Mihali, ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, etj. Të gjitha këto dhe të tjera rreth ngjarjes së bujshme të arratisjes së anijes “Dukati” në fillimin e janarit të vitit 1989, vijnë në ‘Black History’, në tre të marta rradhazi, duke filluar nga dt. 1 shkurt 2022. /Top News

Arratisja e bujshme e anijes “Dukati” në ’89-ën nga

Back to top button